Minuta pasi të keni lënë duhanin
20 minuta pasi të keni lënë duhanin
Pas 20 minutash tensioni i gjakut dhe pulsi janë ulur në nivelet normale. Atyre që pinë duhan u mërdhijnë shpesh duart dhe këmbët, ndërsa ju keni filluar të ndjeheni ngrohtë përsëri.
Ju keni shmangur një nga shkaqet kryesore për krijimin në moshë të re të rrudhave në fytyrë. Ju nuk keni nevojë të shqetësoheni për të gjitha toksinat që keni thithur në trup për çdo cigare.
Disa orë pas lënies së duhanit
8 orë pas lënies së duhanit
Pas 8 orësh, niveli i oksidit të karbonit në gjak është ulur dhe po i afrohet nivelit normal. Prandaj, molekulat e oksigjenit kanë më shumë hapësirë, dhe përmbajtja e oksigjenit në gjak po shkon drejt vlerave normale.
Ju do të vini re se ndjeheni më pak të lodhur, dhe ju e zgjasni jetën tuaj me 5 – 7 minuta për çdo cigare që nuk pini.
24 orë pas lënies së duhanit
Rreziku i infarktit në zemër ka filluar të ulet. Ju keni kursyer 100 korona nëse më parë keni pirë një paketë në ditë.
72 orë pas lënies së duhanit
Mushkëritë janë duke u përmirësuar dhe kapaciteti i tyre po rritet.
Dëshira për nikotinë dhe abstinenca mund të jenë bërë më të forta, por nëse këmbëngulni, do të ndjeheni më mirë në ditët në vijim. Si rregull, shqetësimet zhduken plotësisht pas disa javësh.
Në javët pas lënies së duhanit
2 – 12 javë pas lënies së duhanit
Qarkullimi i gjakut dhe kapaciteti i mushkërive tuaja janë përmirësuar kaq shumë sa ju duket më e lehtë që të lëvizni me ritëm të shpejtë. Qarkullimi i gjakut është rritur edhe në vertebrat e shtyllës kurrizore duke ulur kështu rrezikun e problemeve me kurrizin.
Lëkura juaj ka filluar tani të rifitojë freskinë dhe ngjyrën e kuqërremtë. Është ulur rreziku për sëmundje të mishrave të dhëmbëve dhe është përmirësuar shërimi i tyre. Shqisat tuaja të shijes dhe nuhatjes janë rigjallëruar dhe për këtë arsye ushqimet dhe pijet shijojnë më shumë.
Për gratë, kjo sjell rritjen e mundësive për të mbetur shtatzënë nëse e dëshirojnë diçka të tillë.
Qarkullimi i gjakut është përmirësuar. Për burrat kjo shkakton një ereksion më të mirë.
Në muajt pas lënies së duhanit
4 – 6 muaj pas lënies së duhanit
Qimet (cilet) në rrugët e frymëmarrjes janë shëruar tashmë dhe ato punojnë me rendiment të plotë për të pastruar mushkëritë. Ju keni më pak kollë dhe sekrecione.
Trupi është tani duke riparuar dëmtimet që ka shkaktuar pirja e duhanit në enët e gjakut. Rreziku për një trombozë është shumë më i vogël se sa kur pinit duhan.
Ju ndoshta ndjeheni edhe më i kthjellët se sa kur pinit duhan.
Në vitet pas lënies së duhanit
1 vit pas lënies së duhanit
Ju nuk keni më varësi nga nikotina.
Ju e keni përgjysmuar rrezikun për të pasur ngushtim të enëve të gjakut ose infarkt të zemrës. Sistemi imunitar është përmirësuar, dhe ju mund t’i bëni ballë më lehtë ftohjeve ose sëmundjeve të tjera.
Rreziku për të zhvilluar alergji ose sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes është ulur në mënyrë të konsiderueshme.
Trupi juaj është tani në gjendje që të shërojë më shpejt ulcerat e stomakut, dhe ju keni ulur rrezikun e përsëritjes së ulcerave të stomakut.
Gjatë këtij viti ju keni shmangur me mijëra toksina. Shumë prej tyre janë kancerogjene.
Nëse keni pirë më parë një paketë me 20 cigare në ditë, ju:
- keni kursyer 1 000 orë që më parë i përdornit për të pirë duhan;
- keni shmangur pirjen e mbi 5 000 cigareve.
5 vjet pas lënies së duhanit
Ju nuk keni më rrezik të shtuar për të pasur hemorragji të trurit.
Nëse qelizat në trupin tuaj janë në një fazë të hershme të zhvillimit të kancerit, ato tani kanë mundësi më të mira për t’u shëruar. Ju keni ulur në mënyrë të konsiderueshme rrezikun për të zhvilluar kancerin e:
- gojës;
- qafës;
- fytit;
- fshikëzës së urinës;
- veshkave;
- qafës së mitrës;
- pankreasit.
Nëse ju pinit zakonisht 20 cigare në ditë, ju tani keni shmangur pirjen e rreth 35 000 cigareve.
10 vjet pas lënies së duhanit
Ju keni përgjysmuar tani rrezikun që të keni kancer në mushkëri.
Nëse më parë ju pinit zakonisht 20 cigare në ditë, ju:
- i keni kursyer vetes një vit, që më parë e shpenzonit për të pirë duhan;
- • keni lënë pa pirë rreth 70 000 cigare.
Ju e keni përmirësuar ndjeshëm shëndetin tuaj. Nëse do t’i kurseni paratë që më përpara i përdornit për duhan, atëherë brenda 30 vjetësh do të keni kursyer me qindra mijëra korona.